Duke nisur nga muaji qershor, menaxhimi i mbetjeve në Bashkinë Lezhë do të realizohet drejtpërdrejt nga vetë institucioni vendor, pas krijimit të një ndërmarrjeje publike për shërbimin e pastrimit.
Strategjia e re parashikon hedhjen e mbetjeve sipas orareve të përcaktuara, si në qytet ashtu edhe në zonat rurale, si dhe ditë të dedikuara për grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme, mbetjeve të gjelbra, atyre elektronike dhe mobilieve.
Plani u prezantua nga kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, gjatë një takimi informues me të gjithë aktorët e përfshirë në proces, ku u theksua se ndryshimi vjen pas problematikave të vazhdueshme me shërbimin privat.
“Në qershor bashkia e Lezhës merr komplet shërbimin e menaxhimit të mbetjeve. Kompanitë private nuk do të kontraktohen më. Kemi konstatuar se marrëdhënia ka qenë e vështirë dhe pastrimi nuk ka qenë në cilësinë e duhur. Kontrata nuk është zbatuar dhe kjo nuk është çështje politike, por standard jetese që duhet ta arrijmë”, deklaroi Ndreu.
Sipas Bashkisë, me këtë model të ri pastrimi dhe administrimi të mbetjeve, Lezha synon të renditet mes njësive të para vendore që zbatojnë standarde evropiane, duke i dhënë fund ndotjes dhe problematikave që kanë shoqëruar për vite me radhë shërbimin e pastrimit.
Autoritetet vendore shprehen se marrja direkte e shërbimit do të rrisë kontrollin, përgjegjshmërinë dhe cilësinë, duke sjellë përmirësim të ndjeshëm të mjedisit dhe jetës urbane.















