Një operacion i mirëorganizuar policor ka zbuluar elementë shqetësues të një veprimtarie kriminale të dyshuar në qytetin e Shkodrës. Strukturat e DVP Shkodër kanë finalizuar operacionin e koduar “Livadhet 3”, si vijim i dy goditjeve të mëparshme policore, duke çuar në pranga një 19-vjeçar.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, në bashkëpunim me Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, Komisariatin e Policisë Shkodër, si dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Reklame

Në pranga u vu shtetasi:

O. Ç., 19 vjeç, banues në Shkodër.

Zbulim tronditës në banesë
Gjatë kontrolleve të ushtruara në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkodrës, Policia ka gjetur në banesën e të riut një sasi të konsiderueshme provash materiale që ngrenë dyshime serioze për një aktivitet kriminal të organizuar:

164 300 euro të dyshuara të falsifikuara

Municion luftarak

8 telefona celularë

Një sasi lënde djegëse

1 automjet, i dyshuar i vjedhur në Fushë-Krujë në vitin 2019

2 targa, të dyshuara të vjedhura në Tiranë gjatë vitit 2025

Hetimet lidhen me veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ndërsa burime policore bëjnë me dije se po punohet për të zbardhur rrjetin e plotë të lidhjeve dhe rolin e të arrestuarit në këto ngjarje.

Operacioni “Livadhet 3” konsiderohet një hallkë kyçe në zbërthimin e një skeme më të gjerë kriminale, ndërsa hetimet vijojnë intensivisht për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme ligjore.

Reklame