Partia Demokratike ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të fundit në hetimin për krimin mjedisor të zbuluar një vit më parë, ku rreth 2800 tonë mbetje toksike u ngarkuan në kontejnerë dhe u nisën drejt vendeve aziatike. Reagimi vjen një ditë pasi Prokuroria lëshoi disa urdhër-arrestime, por pa prekur, sipas opozitës, përgjegjësit politikë në nivelet më të larta të qeverisë.

Në një konferencë për mediat, anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, deklaroi se drejtësia ka vepruar në mënyrë selektive, duke shmangur hetimin dhe përgjegjësinë penale të ministrave të kabinetit “Rama”, Pirro Vengu dhe Mirela Kumbaro, të cilët drejtonin dikasterët përgjegjëse në kohën kur ndodhi skandali.

Reklame

“Ministra që fyejnë qytetarët, por lejuan 2800 tonë helm”

Sipas Muçollarit, ministrja Mirela Kumbaro, në krye të Ministrisë së Mjedisit, ka ndërtuar një imazh publik moralizues, ndërkohë që nën përgjegjësinë e saj u lejuan ngarkesa masive me mbetje të rrezikshme të transportuara nga Elbasani në Durrës dhe më pas drejt Tajlandës.

“Kemi parë shfaqjet publike të Kumbaros duke ndjekur qytetarët dhe duke i fyer për një qese mbeturinash, ndërkohë që nën përgjegjësinë e saj 2800 tonë mbetje të rrezikshme u nisën jashtë vendit”, u shpreh Muçollari.

Porti i Durrësit, ‘siguri’ vetëm në deklarata

Opozita akuzoi edhe Pirro Vengun, i cili në atë kohë drejtonte Portin e Durrësit. Sipas PD-së, pavarësisht deklaratave publike për rritjen e sigurisë dhe kontrolleve në bashkëpunim me policinë dhe doganat, në praktikë dhjetëra kontejnerë me mbetje toksike kaluan pa asnjë pengesë.

“Nën drejtimin e tij, 108 kontejnerë me mbetje të rrezikshme u nisën drejt Tajlandës. Dhe kjo nuk ishte ngarkesa e parë. Rreth 50 mijë tonë të tjera do të kishin ndjekur të njëjtin itinerar, nëse nuk do të ndërhynin autoritetet e vendeve të tjera dhe Rrjeti i Bazelit”, deklaroi Muçollari.

Akuza politike: përgjegjësit u promovuan, jo u ndëshkuan

PD e cilëson këtë çështje si një nga skandalet më të rënda mjedisore dhe politike të viteve të fundit, duke akuzuar qeverinë se jo vetëm nuk mbajti përgjegjësit përgjegjës, por i shpërbleu ata.

“Sipas PD-së, Kumbaron e 2800 tonëve të mbetjeve të rrezikshme e çuan të ‘edukojë’ fëmijët tanë, ndërsa Vengun e 108 kontejnerëve toksikë e caktuan të ‘mbrojë’ gjithë atdheun”, tha Muçollari.

Opozita paralajmëron se do të vijojë denoncimet dhe kërkon hetim të plotë penal për zinxhirin e përgjegjësisë politike, duke e konsideruar këtë rast një provë të fortë të pandëshkueshmërisë në nivelet e larta të pushtetit.

Reklame