Familjarët e Ylli Dines, bari 65-vjeçar nga fshati Mezhgoran në Bashkinë Tepelenë, kanë humbur kontaktet me të prej tre ditësh, duke ngritur alarmin për zhdukjen e tij.
Pas kallëzimit të bërë nga të afërmit, Policia nisi menjëherë kërkimet në zonë. Gjatë kontrolleve, në bregun e lumit Vjosë janë gjetur disa sende personale, konkretisht kërraba dhe velenxa, që dyshohet se i përkisnin 65-vjeçarit.
Zbulimi i këtyre sendeve ka shtuar dyshimet se Ylli Dine mund të ketë rënë ose të jetë hedhur në ujërat e rrëmbyeshme të lumit Vjosë, çka ka bërë që operacioni i kërkimit të përqendrohet kryesisht në shtratin e lumit.
Në terren ndodhen forca të Policisë së Gjirokastrës, të cilat po vijojnë kërkimet intensive, ndërsa familjarët presin me ankth zbardhjen e fatit të 65-vjeçarit.
Autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë dhe bëjnë apel për bashkëpunim në rast se dikush ka informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e tij.















