Deputetja e Partisë Demokratike për qarkun e Korçës, Ledina Alolli, ka reaguar fuqishëm lidhur me bllokimin e aksit Librazhd-Qafë Thanë, duke e lidhur këtë ngjarje me menaxhimin të dështuar të ministres Belinda Balluku.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ku ka publikuar edhe pamje të aksit të bllokuar, Alolli tha se një nga arteriet më jetike të Juglindjes është paralizuar për shkak të papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.
Deputetja akuzon qeverinë për shpenzime miliona euro në beton, pa garantuar as siguri e as përgjegjësi:
“Një arterie jetike e Juglindjes e paralizuar nga papërgjegjshmëria dhe korrupsioni. Qytetarë të izoluar, jetë në rrezik. Ky është bilanci i ‘rrugëve’ të Edi Ramës dhe menaxhimit të dështuar të Belinda Ballukut. Miliona euro beton, zero siguri, zero përgjegjësi”, shkruan Alolli.
Reagimi i saj vjen ndërsa qarkullimi në aks vijon të jetë i bllokuar, duke shkaktuar shqetësim të madh për drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonës.















