Një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike është goditur në Sarandë, duke ngritur shqetësime për përhapjen e drogës në qytetet turistike. Një 30-vjeçar është arrestuar nga Policia, pasi u kap në flagrancë me doza kanabisi të ndara, të dyshuara për shitje.

Sipas Policisë, shtetasi me iniciale A. M., banues në Sarandë, e shpërndante lëndën narkotike duke qarkulluar me automjet nëpër qytet, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet edhe një sasi tjetër kanabisi.

Reklame

Arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Meantime”, i organizuar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e trafikut dhe shitjes së drogës.

Gjatë kontrollit, policia sekuestroi dozat e kanabisit, automjetin që përdorej për shpërndarje, si dhe një peshore elektronike, e cila dyshohet se përdorej për ndarjen e lëndës narkotike.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Reklame