Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, reagoi me vendosmëri pas arratisjes së Altin Ndocit, për të cilin ende nuk ka asnjë gjurmë. Në një konferencë për mediat, Lamallari bëri të ditur se masat ishin të menjëhershme, duke përfshirë shkarkimin e drejtorit të burgut dhe të gjithë zinxhirit komandues përgjegjës.
“Reagimi i ministrit ishte i shpejtë, duke nisur nga pezullimi i zinxhirit përgjegjës dhe duke i vënë në dispozicion të hetimit penal. U shkarkua drejtori i burgut, ndërkohë që disa të dënuar janë transferuar në burgje me siguri më të lartë. Krahas këtyre masave, i kam kërkuar Shërbimit të Kontrollit të Burgjeve rritje të hetimeve proaktive në të gjithë burgjet, për të shmangur situata të ngjashme dhe për të evidentuar çdo shkelje, përfshirë futjen e sendeve të paligjshme”, tha Lamallari.
Ministri theksoi se vizitat e inspektimit nuk ishin njoftuar më parë tek drejtoritë e burgjeve, çka shërbeu si një nga arsyet kryesore për vendimin e shkarkimit. Ai shtoi se Shërbimi i Kontrollit të Burgjeve do të jetë i pranishëm në çdo IEVP për të garantuar evidentimin e çdo shkeljeje dhe po përgatitet një raport i detajuar mbi situatën.
“Ka informacione ditore që përcillen nga Shërbimi i Kontrollit të Burgjeve, dhe kjo kërkon masa më të gjera se një rast konkret”, përfundoi Lamallari.















