Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj protestës së organizuar mbrëmjen e djeshme para Kryeministrisë nga Partia Demokratike, duke e cilësuar atë si një akt të dhunshëm dhe të paprecedentë në Europë për një parti parlamentare.
Në një postim të gjatë në rrjetin social “X”, Rama i etiketon protestuesit si “mercenarë” dhe “rrugaçë”, ndërsa akuzon drejtpërdrejt Partinë Demokratike se ka ndërtuar identitetin e saj politik mbi dhunën, shkatërrimin e pronës dhe sulmin ndaj institucioneve shtetërore.
Sipas kryeministrit, ndonëse në Europë ka grupe të ndryshme protestuese – nga anarkistë e ekstremistë, te studentë apo huliganë – vetëm një parti parlamentare, sipas tij, e ka dhunën pjesë të pandarë të ekzistencës së saj politike që nga krijimi.
“Qysh nga koha e partive famëkëqija të 100 viteve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë që e ka ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës dhe sulmin ndaj institucioneve si program aktiviteti”, shkruan Rama, duke iu referuar drejtpërdrejt Partisë Demokratike.
Ai shton se protestat e fundit janë organizuar nga “paramilitarë” që, sipas tij, dikur ishin “çeta e liderit shpirtëror”, ndërsa sot janë “mercenarë të rekrutuar me lekë”, të maskuar për të shmangur identifikimin nga kamerat, me qëllim hedhjen e molotovëve dhe krijimin e kaosit.
Rama i përshkruan këto protesta si një “degjenerim të pandalshëm” dhe një shfaqje dëshpërimi politik, duke i krahasuar me “jashtëderdhjen në rrugë të plakut të lajthitur që i organizon”.
Në përfundim të reagimit të tij, kryeministri shpreh solidaritet me punonjësit e Policisë së Shtetit që mbetën të plagosur gjatë protestës, duke i uruar shërim të shpejtë dhe duke dënuar ashpër dhunën ndaj tyre.
Megjithatë, reagimi i Ramës vjen në një klimë të tensionuar politike, ku opozita e akuzon qeverinë për standarde të dyfishta, duke kujtuar se Shqipëria mbetet i vetmi vend në Europë ku një zëvendëskryeministre e akuzuar për korrupsion mbrohet publikisht nga kryeministri.















