Tiranë – Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, prezantoi sot në Komisionin e Ligjeve në Kuvend një paketë të gjerë ndryshimesh në Kodin Penal, të cilën e cilësoi si një reformë strategjike për rritjen e sigurisë publike dhe përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Lamallari theksoi se projektligji nuk është një ndërhyrje teknike, por rezultat i një analize të thelluar të problematikave reale dhe harmonizimit të plotë me standardet e BE-së, në kuadër të Kapitullit 24 të negociatave “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.
Ndryshimet kryesore të paketës:
Forcim i luftës kundër krimit të organizuar: pastrim parash, trafikim droge dhe qenieve njerëzore, terrorizëm, shfrytëzim seksual i fëmijëve.
Mbrojtja e fëmijëve dhe grupeve vulnerabël: ashpërsim i dënimeve, zgjatje e afateve të parashkrimit, ndalim i ushtrimit të profesioneve me kontakt me fëmijë, dhe trajtim sipas standardeve më të larta.
Trafikimi i qenieve njerëzore: zero tolerancë ndaj shfrytëzimit, përjashtimi i pëlqimit të viktimës si justifikim, kriminalizimi i përdorimit të shërbimeve të viktimave.
Mbrojtja e territorit dhe interesit publik: ashpërsim i ndëshkimeve për ndërtimet pa leje, shfrytëzimin e paligjshëm të tokave, veçanërisht në zona të mbrojtura, pasuri kulturore dhe infrastrukturë kritike; kuadër penal i fortë për zjarrvënien në pyje dhe mjedise natyrore.
Siguria publike: parkimi në rresht të dytë konsiderohet vepër penale kur pengon seriozisht qarkullimin dhe emergjencat.
Mbrojtja e gazetarëve dhe liria e medias: dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët që veprojnë me mirëbesim dhe në interes publik; ashpërsim i ndëshkimeve për dhunën dhe kërcënimet ndaj tyre.
Lamallari theksoi se këto ndryshime zgjerohen edhe në juridiksionin penal jashtë vendit, duke rritur efektivitetin e ndjekjes për krime ndërkufitare dhe të rënda.
Në përfundim, ministri e konsideroi paketën si një reformë të guximshme dhe të domosdoshme, që synon parandalimin e krimit, ndëshkimin efektiv të veprave penale dhe garantimin e sigurisë për qytetarët, duke ndërtuar një sistem penal modern dhe të përputhshëm me standardet evropiane.















