Tiranë – Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) ka shpallur vendimet për grupin e akuzuar për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur më 27 gusht 2019 në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, ku viktima u ekzekutua brenda automjetit të tij tip “BMW X5”.
Gjykata vendosi dënimin maksimal prej 30 vitesh burg për Leonard Dukën, ndërsa Erlis Duka është shpallur i pafajshëm.
Ndërkohë, Fatmir Hyseni, Aleksander Manxhaku, Oltjon Loga dhe Dritan Agaj janë dënuar secili me nga 25 vite burg.
Vrasje me porosi dhe grup i strukturuar kriminal
Sipas vendimit të gjykatës, Santiago Malko u vra në kuadër të një vrasjeje me porosi, të organizuar nga një grup kriminal, ku në krye të tij dyshohej se qëndronin vëllezërit Duka, Leonard dhe Erlis.
I ashtuquajturi klani Duka përfshin edhe shtetasit Ilir Selmani, Ervis Metani, Xhoni Nica, si dhe persona të tjerë, të cilët ndodhen aktualisht në kërkim, ndërsa për ta janë dhënë dënime në mungesë.
Aktualisht, vetëm Leonard Duka ndodhet në burg, ndërsa pjesa tjetër e të akuzuarve vijon të jetë në arrati.
Dënim i plotë për Blendi Tetën
Deri më tani, i vetmi që ka marrë një dënim të formës së prerë prej 25 vitesh burg është Blendi Teta, i akuzuar se vëzhgonte lëvizjet e Santiago Malkos dhe informonte autorët e ekzekutimit.
Gjykata e cilësoi ngjarjen si një krim të mirëorganizuar dhe të planifikuar, duke theksuar rrezikshmërinë e lartë shoqërore të grupit dhe nevojën për ndëshkim maksimal të autorëve të përfshirë në këtë vrasje të rëndë.















