Nga 7 gushti kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, të cilat sjellin masa më të ashpra për drejtuesit që shkelin rregullat e qarkullimit.

Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, bëri të ditur ndryshimet kryesore.

Reklame

Personat që kapen duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi do të kenë të drejtën për t’u pajisur me patentë të shtyrë deri në një vit. Për të miturit, kjo periudhë shkon deri në dy vjet.

Një nga masat më të forta lidhet me alkoolin. Leja e drejtimit hiqet përgjithmonë nëse një drejtues kapet me mbi 0.5 gram alkool për litër gjak dhe është ndëshkuar më parë për drejtim nën efektin e alkoolit.

Ashpërsohen edhe gjobat për manovrat e rrezikshme, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe shkeljet në zona urbane, pranë shkollave dhe kryqëzimeve. Gjoba për këto shkelje shkon nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.

Përdorimi i telefonit gjatë drejtimit ndëshkohet tashmë edhe për drejtuesit e biçikletave, motomjeteve deri në 50 kubikë dhe monopatinave me motor.

Ndërsa drejtuesit që ndëshkohen dy herë brenda një viti për përdorimin e telefonit do t’u pezullohet patenta.

Gjithashtu, është hequr mundësia për të shmangur pezullimin e patentës duke paguar dyfishin e gjobës.

Policia Rrugore apelon për respektimin e rregullave, duke theksuar se qëllimi kryesor nuk është ndëshkimi, por parandalimi i aksidenteve dhe mbrojtja e jetës.

Reklame