Policia e Sarandës ka njoftuar zyrtarisht zbulimin e një laboratori të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura, të vendosura në dy apartamente në katin e nëntë të një pallati në lagjen nr. 2 të qytetit.
Sipas hetimeve, ambientet ishin të përshtatura për kultivim, tharje dhe përpunim të bimëve narkotike, me llamba elektrike, ventilim dhe pajisje të tjera teknike, ndërsa energjia dyshohet se merrej përmes lidhjeve të paligjshme.
Si rezultat i veprimeve hetimore, është arrestuar E. B., 45 vjeç, banues në Sarandë, administrator i pallatit, i akuzuar për prodhim dhe shitje të narkotikëve, kultivim të bimëve narkotike dhe vjedhje të energjisë elektrike.
Janë shpallur në kërkim edhe katër persona të tjerë, të dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari kriminale, ndërsa bashkëshortja e të arrestuarit është proceduar penalisht për moskallëzim të krimit.
Gjatë kontrollit, policia sekuestruar 157 bimë narkotike të dyshuara Cannabis Sativa, 18 kilogramë kanabis të tharë, si dhe pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin dhe përpunimin e bimëve narkotike.
Hetimet për këtë rast vazhdojnë me qëllim identifikimin dhe arrestimin e të gjithë të përfshirëve, si dhe zbardhjen e rrjetit të shitjes dhe distribuimit të lëndëve narkotike.















