Qytetarët e angazhuar në protestat kundër qeverisë janë mbledhur këtë të martë para ambienteve të SPAK, ku kanë dorëzuar librin “Albanian Files”, i firmosur nga pjesëmarrësit në protestën e një dite më parë.

Sipas organizatorëve, qëllimi i dorëzimit të librit është t’i kërkohet Prokurorisë së Posaçme të shqyrtojë pretendimet që, sipas tyre, lidhen me projekte të zhvilluara ose të planifikuara në zona të mbrojtura.

Reklame

Protestuesit kanë përsëritur se kërkesa e tyre kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se tubimet do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kësaj kërkese.

Një nga aktivistët u shpreh se libri “Albanian Files” përmban, sipas tyre, të dhëna për projekte të ndërtuara dhe të planifikuara në zona të mbrojtura, duke pretenduar se në disa raste ndryshimet ligjore janë bërë për të favorizuar interesa të caktuara.

“Kemi në dorë ‘Albanian Files’, për të gjitha projektet që janë ndërtuar dhe një pjesë që pritet të ndërtohen në zona të mbrojtura. Për ne ka të dhëna që ligji është ndryshuar me porosi. Bëhet fjalë për oligarkë shqiptarë. ‘Albanian Files’ është arma e krimit që, sipas nesh, tregon mënyrën se si është dëmtuar Shqipëria. Në ditët në vijim po përgatisim edhe një kallëzim penal që do t’ia dorëzojmë Prokurorisë së Posaçme”, deklaroi ai.

Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga SPAK lidhur me dorëzimin e librit apo me deklaratat e bëra nga organizatorët e protestës.

Reklame