Policia Rrugore e Durrësit ka goditur brenda 12 orëve disa raste të rënda shkeljesh rrugore, përfshirë drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe tentativa për të korruptuar punonjësit e policisë, duke vënë në pranga katër drejtues automjetesh.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Durrës kanë intensifikuar monitorimet në akset urbane dhe interurbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë.
Gjatë kontrolleve në rrugën “Adria” dhe në zonën e Sukthit, janë konstatuar dy automjete që kryenin manovra të rrezikshme. Në momentin që punonjësit e Policisë Rrugore u kanë kërkuar drejtuesve kryerjen e testit të alkoolit, dy shtetasit, Sh. D., 61 vjeç, dhe A. Sh., 51 vjeç, kanë tentuar t’i korruptojnë duke ofruar shuma parash prej 2000 dhe 5000 lekësh të rinj, me qëllim shmangien e testimit.
Nga verifikimet, rezultoi se shtetasi Sh. D. drejtonte automjetin në gjendje të dehur, me masën 1.13 mg/l alkool në gjak, ndërsa A. Sh. rezultoi pozitiv me 0.55 mg/l.
Në vijim të monitorimeve, në rrugën “Vllazërimi” u ndalua një tjetër automjet me drejtues shtetasin A. R., 44 vjeç, i cili nga testi i alkoolit rezultoi në gjendje të dehur, në masën 0.79 mg/l.
Po ashtu, në rrugën “Miqësia”, shërbimet e Policisë Rrugore konstatuan një automjet me drejtues shtetasin H. K., 22 vjeç, i cili drejtonte automjetin pa leje drejtimi dhe nën ndikimin e alkoolit, me masën 0.55 mg/l.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Sh. D., A. Sh., A. R. dhe H. K., për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.














