Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër nga ambientet e SPAK, duke akuzuar për dekonspirim të aksionit kundër Call Center-ave dhe për sabotim të hetimeve, ndërsa e cilësoi situatën si provë se Shqipëria është “më keq se narko-shtet”.

Sipas Berishës, aksioni i fundit për Call Center-at rezultoi i dështuar, pasi ambientet ku zhvillohej aktiviteti kriminal ishin paraprakisht të boshatisura, çka sipas tij tregon se informacioni ishte nxjerrë përpara ndërhyrjes së autoriteteve.“Ju e patë, kati i 13-të ku agjentët e ‘Hijenës’ kanë punuar dy vite me radhë, duke i dhënë çdo informacion ekipit hetimor, kishte të gjitha fotot, videot dhe dokumentet. Kur shkuan, e gjetën dhomën bosh, sepse kishin hequr të gjithë kompjuterët”, deklaroi Berisha.

Reklame

Sipas tij, ky rast vërteton deklaratat e prokurorit të Antimafies së Napolit, i cili ka pohuar se Shqipëria është më keq se një narko-shtet, pasi hetimet dekonspirohen dhe bëhen të pamundura për t’u çuar deri në fund.“Është më keq se narko-shtet, sepse të dekonspirojnë çdo gjë. Është e pamundur të përfundosh një hetim”, u shpreh Berisha.

Në vijim të akuzave, Berisha përmendi edhe raste konkrete, duke deklaruar se sipas tij nuk janë ndjekur penalisht persona të përfshirë në aktivitete kriminale, pavarësisht informacioneve të ardhura nga autoritetet e huaja.“Kur autoritetet gjermane sollën dokumente për Amant Josifin dhe doli se Olsi Rama ishte patron i tij, Altin Troplini nuk hapi çështje penale. Edhe kur autoritetet spanjolle e gjetën Amant Josifin në Dubai, ai sërish nuk u shpall në hetim”, tha Berisha.

Sipas kreut të PD-së, këto raste përbëjnë “një veprimtari kriminale të gjeneralizuar”, duke e cilësuar situatën si një dështim të rëndë të shtetit ligjor.

Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur aksionet kundër Call Center-ave janë në qendër të vëmendjes publike, ndërsa SPAK nuk ka reaguar ende zyrtarisht lidhur me akuzat për dekonspirim të hetimeve.

Reklame