Ylli i Marsejës dhe sulmuesi i kombëtares amerikane, Timothy Weah, shprehu zhgënjimin e tij lidhur me çmimet e larta të biletave për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet këtë verë në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.

Në një intervistë për Le Dauphiné Libéré, Weah tha: “Nëse ka një gjë që amerikanët dinë ta bëjnë, është të bëjnë një shfaqje. Por jam pak i zhgënjyer nga çmimet e biletave. Shumë tifozë të vërtetë nuk do të mund të ndjekin ndeshjet. Futbolli duhet të mbetet një kënaqësi për të gjithë.”

Reklame

Çmimet e larta të biletave, shpallur nga FIFA në dhjetor 2025, shkaktuan zemërim global, me organizata si Football Supporters Europe që e konsideruan këtë “tradhëti të hapur të traditës së Kupës së Botës”. Si përgjigje, FIFA krijoi një kategori të re biletash më të lira, rreth 51 euro, por në sasi të kufizuara dhe të rezervuara për tifozët lokalë.

Weah foli edhe për lidhjen e tij me Marsejën, duke theksuar dashurinë e tij për klubin: “Dashuria për futbollin dhe për klubin ndihet në qytet. Në Francë, të gjithë klubet e tjera janë kundër OM, kështu që ndihet gjithmonë aspekti ‘vetëm kundër të gjithëve’.”

Sulmuesi i kombëtares amerikane, i cili ka luajtur 47 ndeshje me SHBA-në, tregon se përtej lojës, ai ndjek edhe aspektin social të futbollit dhe rëndësinë që tifozët të kenë akses të drejtë ndaj spektakleve më të mëdha të sportit.

Reklame