Segmenti i rrugës Librazhd–Bulqizë, që kalon përmes fshatit turistik Fushë Studen në Njësinë Administrative Steblevë, ka krijuar probleme serioze këtë fundjavë për qindra qytetarë dhe turistë. Pavarësisht reshjeve të dendura të dëborës dhe ngricave të rrezikshme, firma kontraktore përgjegjëse nuk ka ndërhyrë për pastrimin e rrugës dhe hedhjen e kripës.

Si pasojë, shumë automjete mbetën të bllokuara për orë të tëra, ndërsa turistët që synonin të vizitonin Parkun Kombëtar të Shebenikut u detyruan të presin në kushte të vështira, mes të ftohtit dhe rrezikut për aksidente. Situata u përmirësua vetëm pas ndërhyrjes së emergjencës nga ASHP-ja e Bashkisë Librazhd.

Reklame

Ky aks rrugor, i asfaltuar kohët e fundit me fonde publike, synon të përmirësojë lidhjen mes Librazhdit dhe Bulqizës dhe të nxisë zhvillimin e turizmit malor. Por, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes dhe reagimit të vonuar të kontraktorëve dhe institucioneve, vlera reale e investimit po vihet në dyshim.

Ngjarja e kësaj fundjave ngre pyetje serioze mbi menaxhimin e investimeve publike dhe nevojën për një përgjegjësi më të madhe institucionale, për të siguruar që rrugët strategjike të qëndrojnë të sigurta dhe funksionale gjatë dimrit.

Reklame