Barcelona është shpallur fituese e Superkupës së Spanjës pas një finaleje spektakolare ndaj rivalëve të përjetshëm të Real Madridit. Në “El Clasicon” e zhvilluar në Jeddah, katalanasit u imponuan me rezultatin 3-2, duke festuar një tjetër trofe prestigjioz.
Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick e nisi më mirë takimin dhe kaloi e para në avantazh në minutën e 36-të me Raphinhan, i cili finalizoi saktë një aksion të shpejtë ofensiv. Real Madridi reagoi në fundin e pjesës së parë, kur Vinicius Junior barazoi shifrat në minutën e 45-të.
Fraksioni i parë u mbyll me emocione të shumta, pasi në minutat shtesë të dyja skuadrat gjetën sërish rrugën e rrjetës: Lewandowski riktheu avantazhin për Barcelonën, ndërsa Garcia barazoi për madrilenët, duke e çuar rezultatin në 2-2.
Vendimtare për fatin e finales rezultoi minuta e 73-të, kur Raphinha realizoi golin e tij të dytë personal dhe të tretin për Barcelonën, duke vulosur fitoren dhe trofeun për katalanasit.
Me këtë sukses, Barcelona ngre lart Superkupën e Spanjës dhe dërgon një sinjal të fortë në prag të sfidave të radhës, ndërsa Real Madridi largohet nga Jeddah pa trofe, pas një finaleje të luftuar deri në fund.















