Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIA) ka bërë një apel urgjent për kujdes ndaj drejtuesve të mjeteve, pas situatës së rënduar të krijuar nga reshjet e dendura të orëve të fundit.

Sipas njoftimit zyrtar, në aksin Tiranë–Durrës, në hyrje të qytetit të Durrësit, ka prezencë të lartë uji, çka e bën qarkullimin të vështirësuar dhe të rrezikshëm. Për këtë arsye, Policia Rrugore ka vendosur devijimin e trafikut.

Reklame

🔁 Devijimet e rekomanduara:

Nga Jugu drejt Tiranës: të përdoret rruga e Plepave (Ndroq) ose aksi Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë.

Drejt Durrësit: qarkullimi bëhet nga rruga e universitetit (Spitallë) ose aksi Elbasan–Rrogozhinë.

Reshjet intensive kanë shkaktuar problematika edhe në zona të tjera të vendit. Situata më e rënduar paraqitet në Lezhë, ku janë regjistruar rreth 105 mm reshje, si dhe në Shkodër, ku raportohet për banesa të përmbytura.

Në jug të vendit, rënia e inerteve ka bllokuar pjesërisht disa segmente të rrugëve nacionale, ndërsa strukturat përkatëse janë në terren për pastrimin dhe normalizimin e qarkullimit.

Autoritetet bëjnë me dije se hidrovorët po punojnë me kapacitet të plotë për menaxhimin e niveleve të ujit dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.

Reklame