Policia e Korçës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Aktiviteti”, në kuadër të hetimeve me metoda proaktive dhe kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, pranë DVP Korçë, pas një hetimi të thelluar, goditën një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytetin e Pogradecit.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi Luan Sulstarova, 54 vjeç, banues në Pogradec, me profesion zjarrfikës pranë Bashkisë Pogradec.
Sipas Policisë, 54-vjeçari përdorte lokalin që kishte në administrim, në lagjen nr. 1 të Pogradecit, për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis, një pjesë e së cilës e ndarë në doza gati për shitje;
një shumë parash, e dyshuar e përfituar nga veprimtaria kriminale;
2 aparate celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme ligjore.















