Plani i presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur kontroll mbi Groenlandën ka shkaktuar një valë shqetësimi në qarqet politike evropiane, me reagime të forta që vijnë veçanërisht nga Gjermania.
Jürgen Hardt, zëdhënës i politikës së jashtme i grupit parlamentar CDU/CSU dhe bashkëpunëtor i ngushtë i kancelarit Friedrich Merz, nuk përjashtoi mundësinë e një bojkotimi të Kupës së Botës FIFA 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Sipas tij, një veprim i tillë mund të shërbejë si presion politik ndaj administratës amerikane për të hequr dorë nga pretendimet ndaj territorit danez.
Hardt e cilësoi bojkotin si një “masë ekstreme”, por theksoi se e kupton mirë peshën simbolike dhe politike që Kupa e Botës ka për Trumpin.
Tensionet janë rritur më tej pas ndërhyrjes ushtarake amerikane në Venezuelë, duke shtuar shqetësimet në Evropë se presidenti Trump mund të përdorë forcën edhe ndaj Groenlandës, një ishull me rëndësi strategjike për sigurinë globale dhe NATO-n.
Në këtë klimë të tensionuar, ish-presidenti i UEFA-s, Michel Platini, ka sulmuar ashpër kryetarin aktual të FIFA-s, Gianni Infantino, duke e akuzuar për menaxhim autoritar dhe afërsi politike me Trumpin.
Platini deklaroi se demokracia brenda FIFA-s po dobësohet, ndërsa Infantino, sipas tij, po tregohet “tepër besnik ndaj të pasurve dhe të fuqishmëve”, duke e cilësuar stilin e drejtimit si autokratik.
Kritikat janë shtuar edhe pas vendimit të FIFA-s për t’i dhënë Donald Trump një “Çmim të Paqes”, veprim që shumë e shohin si një favorizim politik, në një kohë kur politika e jashtme amerikane po perceptohet gjithnjë e më agresive.
Situata tregon qartë se vendimet politike të SHBA-së po ndikojnë drejtpërdrejt diplomacinë evropiane dhe evenimentet sportive globale, duke e vendosur sportin në qendër të një përplasjeje të fortë politike dhe gjeostrategjike.














