TIRANË – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas raportimeve për bllokimin e disa llogarive në Instagram të qytetarëve që, sipas tij, po mbështesin protestën kundër qeverisë.
Në një reagim publik, Bardhi e ka krahasuar situatën në Shqipëri me zhvillimet në Serbi gjatë protestave të studentëve kundër qeverisë së Aleksandar Vuçiçit.
“Edi Rama si Vuçiçi, algoritmi i censurës kundër opozitës!”, shkruan Bardhi në reagimin e tij.
Sipas kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, gjatë ditës së sotme janë bllokuar ose sulmuar një numër llogarish në Instagram të qytetarëve që kanë shprehur publikisht mbështetjen për protestën, e cila, sipas tij, vijon prej më shumë se tre muajsh.
Bardhi e ka cilësuar këtë situatë si një “algoritëm censure”, duke akuzuar qeverinë se po përpiqet të kufizojë zërat kritikë në hapësirën publike.“Ky është algoritmi i censurës së një Kryeministri që kërkon ta mbulojë dështimin e vet me heshtjen e shoqërisë. T’u mbyllë gojën kundërshtarëve dhe të zhdukë çdo zë kritik nga hapësira publike”, shprehet Bardhi.
Ai ka vijuar reagimin duke e lidhur situatën me metodat që, sipas tij, janë përdorur në Serbi gjatë protestave kundër qeverisë së Vuçiçit.
“Me metodat e Vuçiçit, Edi Rama nuk e ndryshon dot bindjen e shqiptarëve se ai është Kryeministri që i ka bërë më shumë keq vendit në gati katër dekada dhe se duhet të largohet”, deklaron Bardhi.
Në përfundim, deputeti demokrat ka shprehur solidaritet me qytetarët që pretendojnë se janë prekur nga bllokimet e llogarive në rrjetet sociale.
“Nuk ka algoritëm censure që shpëton një qeveri nga e vërteta”, përfundon reagimin e tij Gazment Bardhi.
Deri në publikimin e këtij reagimi, pretendimet për bllokimin e llogarive në Instagram dhe për përfshirjen e qeverisë shqiptare nuk janë shoqëruar në këtë deklaratë me prova teknike që të vërtetojnë se bllokimet janë kryer nga autoritetet shtetërore.
Lexo edhe:
“Çmimi i naftës më i shtrenjti në Rajon”/ Bardhi: Qeveria të ndërhyjë, të ulë taksat
Përplasja para Kryeministrisë, reagon Bardhi: “Kur pushteti nuk ka më argumente, përdor forcën”















