Një operacion i gjerë i Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare ka goditur tre call center-a që dyshohet se ushtronin aktivitet të paligjshëm në kryeqytet.

Sipas burimeve, një prej ambienteve ndodhej në rrugën e Kavajës, ndërsa dy të tjerë pranë zonës së Kopshtit Zoologjik. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar shuma të mëdha parash cash, si dhe kompjutera e pajisje të tjera që shërbenin për aktivitetin e dyshuar kriminal.

Reklame

Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e Austria dhe Gjermania, ndërsa hetimet për këtë çështje kanë nisur rreth dy vite më parë, pas referimit të materialeve nga këto dy shtete.

Gjatë kësaj periudhe, autoritetet shqiptare kanë zbuluar përfshirjen e rreth 70 operatorëve në këtë rrjet. Në bashkëpunim me prokurorinë janë lëshuar rreth 8 masa sigurie, ndërsa disa persona janë arrestuar.

Aktualisht, aksioni vijon me kontrolle të tjera në disa ambiente në Tiranë, ku po marrin pjesë edhe hetues austriakë, me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit të paligjshëm dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Reklame