Advertisement

Tiranë – Zbulohen detaje të reja nga tentativa për të futur lëndë narkotike në ambientet e Paraburgimit Nr. 313 në Tiranë. Sipas informacioneve, droga ishte fshehur brenda disa kutive me makarona në formë tubi, të cilat ishin sjellë si pjesë e ushqimeve për një të paraburgosur.

Pritësi i dyshuar i lëndës narkotike ishte Oltjon Asllani, i cili mbahet në masën e sigurisë “Arrest në burg” që prej gushtit 2025.

Reklame

Asllani është ndaluar nga policia dhe po përballet me akuzat për “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve” dhe “Vrasje në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë, ndaj dy personave në Kombinat, me inicialet R. K., 38 vjeç, dhe Zh. K.

Droga u gjet në makaronat tub

Sipas të dhënave të bëra publike, strukturat e Policisë së Burgjeve kishin marrë më herët informacion se i paraburgosuri Asllani, në bashkëpunim me persona jashtë ambienteve të burgut, dyshohej se po tentonte të fuste lëndë narkotike me qëllim shitjen e saj brenda institucionit.

Për këtë arsye, familjarët që i sillnin ushqime dhe veshmbathje janë mbajtur nën verifikim.

Ditën e sotme, në ambientet e paraburgimit është paraqitur Seit Xhometa, i cili, përveç veshmbathjeve, kishte sjellë edhe disa kuti me makarona në formë tubi.

Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushqimeve, punonjësit e Policisë së Burgjeve kanë konstatuar se brenda makaronave ishin fshehur 17 porcione kokainë dhe 13 porcione hashash.

Në total u zbuluan 30 porcione lëndë narkotike.

Arrestohet familjari i të paraburgosurit

Pas zbulimit të drogës, Seit Xhometa është arrestuar në flagrancë. Sipas të dhënave, ai rezulton të jetë familjar i Oltjon Asllanit.

Gjatë marrjes në pyetje, Xhometa ka pretenduar se nuk kishte dijeni për praninë e lëndës narkotike në ushqimet që kishte sjellë.

Megjithatë, ndaj tij është ngritur akuza për “Futjen e lëndëve narkotike” në ambientet e burgut.

Aktet hetimore pritet t’i kalojnë Prokurorisë së Tiranës, e cila do të vijojë hetimet për të dokumentuar mënyrën e futjes së drogës dhe personat e tjerë që mund të jenë përfshirë në rast.

Hetimet pritet të përcaktojnë gjithashtu nëse lënda narkotike ishte destinuar për përdorim apo për shitje brenda ambienteve të paraburgimit.

Lexo edhe:

Drogë në burgun 313/ 30 doza kokainë dhe hashash gjenden të fshehura në ushqime

E rëndë në paraburgimin e “313” në Tiranë, humbin jetën brenda pak orësh dy efektivë

Reklame