U zhvillua këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) seanca e radhës e gjyqit në mungesë për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, në kuadër të dosjes së njohur si “Buka”.

Burime bëjnë me dije se seanca u shoqërua me debate të forta mes mbrojtjes dhe Prokurorisë së SPAK, ndërsa në sallë ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e familjes Myderizi, të dëmtuarit nga vepra penale.

Reklame

Avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori, paraqiti një sërë kërkesash për prova dhe dëshmitarë, duke theksuar se ish-zëvendëskryeministri nuk e pranon akuzën për shpërdorim detyre.“Jam i autorizuar prej tij të deklaroj se nuk e pranon akuzën, deklarohet i pafajshëm dhe e konsideron këtë një akuzë politike”, tha Ligori.

Mbrojtja kërkoi që:

Arben Ahmetaj të pyetet përmes video-konference

Të administrohen prova shkresore dhe dokumentare

Të pyeten ekspertët teknikë dhe kontabël

Të thirren si dëshmitarë Shkëlqim Cani, ish-ministër i Financave, si dhe ish-zyrtarë të tjerë të këtij institucioni

Të administrohen të gjitha aktet juridike që lidhen me “Buka sha”

Nga ana tjetër, prokurori i SPAK Elvin Gokaj akuzoi Ahmetajn për shkelje të hapur të detyrës, duke theksuar se vendimet gjyqësore i kanë dhënë të drejtë familjes Myderizi.“I pandehuri Ahmetaj, përmes një urdhri, ka caktuar vetë dy ekspertë, një akt-ekspertimi me kontradikta. Ai ka shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili në vetvete është ligj”, u shpreh prokurori.

SPAK argumentoi se veprimet e Ahmetajt bien ndesh me vendimet përfundimtare të gjykatave dhe kanë sjellë pasoja të drejtpërdrejta për pronarët.

Në seancë reagoi edhe Adrian Myderizi, përfaqësues i familjes së dëmtuar, i cili foli për një proces 30-vjeçar për njohjen e pronës.“Ne fituam gjyqin me vendim të formës së prerë, por na llogaritën tokën me 8 mijë lekë të vjetra për metër katror, kur çmimi i tregut ishte 1 mijë euro. Kjo është një vjedhje absurde”, deklaroi ai.

Sipas Myderizit, janë kryer manovra për t’i hapur rrugë përvetësimit të pronës, ndërsa familja vijon të mos jetë aksionere, pavarësisht vendimeve gjyqësore.

Në përfundim, GJKKO vendosi shtyrjen e seancës për datën 27 janar, për t’i dhënë kohë Prokurorisë së SPAK të shqyrtojë kërkesat për prova dhe dëshmitarë të paraqitura nga mbrojtja e Ahmetajt.

Reklame