Advertisement

Situata në njësinë administrative Dardhas, në Pogradec, paraqitet tepër e rënduar si pasojë e një rrëshqitjeje masive të rrugës kryesore. Si rezultat, Dardhasi dhe gjashtë fshatra përreth kanë mbetur tërësisht të izoluar për qarkullimin e mjeteve.

Sipas informacioneve nga terreni, në një segment rrugor me gjatësi rreth 50 metra ka ndodhur rrëshqitje e madhe e dheut, e shkaktuar nga depërtimi i ujit dhe shkarja e masiveve të tokës në të dy anët e rrugës. Aktualisht, banorët janë të detyruar të kalojnë vetëm në këmbë, ndërsa në raste emergjente nuk mund të kalojë asnjë lloj automjeti.

Reklame

Autoritetet lokale po punojnë për sigurimin e një eskavatori, me qëllim pastrimin e inerteve dhe hapjen e përkohshme të një korsie për qarkullimin e mjeteve.

Si pasojë e rrëshqitjes, bashkë me rrugën kanë rrëshqitur edhe disa varre të vjetra të fshatit, duke shtuar shqetësimin e banorëve.

Në këtë situatë ka mbetur i bllokuar edhe një emigrant, i cili ishte nisur për t’u kthyer në banesën e tij dhe më pas për të udhëtuar drejt Greqisë. Për shkak të bllokimit, ai rrezikon të humbasë vendin e punës, ndërsa fëmijët e zonës përballen me vështirësi serioze për të ndjekur shkollën.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për të normalizuar situatën dhe garantuar lëvizjen, sidomos në raste emergjencash.

Reklame