Është vetëdorëzuar në polici një nga të rinjtë e përfshirë në konfliktin e dhunshëm në fshatin Gjashtë, ngjarje që përfundoi me vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili.
Bëhet fjalë për Kostandin Vogli, 31 vjeç, banues në Shën Vasil, i cili sipas burimeve hetimore është paraqitur vetë në polici rreth tre orë më parë.
I riu është transportuar fillimisht në spitalin e Sarandë për të marrë ndihmën e parë mjekësore, pasi kishte një plagë me armë zjarri në këmbë.
Gjatë qëndrimit në spital, Vogli është marrë në pyetje nga prokurorja e çështjes, ndërsa mësohet se pritet të transferohet drejt Vlorë për trajtim më të specializuar dhe për arsye sigurie.
Sipas hetimeve paraprake, Kostandin Vogli dyshohet se ka qenë personi që kishte konflikt të hapur me Tori Ruci, 50-vjeçarin e shpallur në kërkim nga policia.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se pasi ka pikasur Rucin në lokalin e Rexhep Ismailit, Vogli ka thirrur disa miq të tij dhe më pas ka nisur përplasja fizike mes palëve.
Konflikti, që fillimisht nisi me sende të forta, degradoi më pas në shkëmbim zjarri. Hetuesit dyshojnë se 31-vjeçari është plagosur nga të shtënat me kallashnikov të Rexhep Ismailit.
Sipas të njëjtave burime, pas plagosjes së Voglit, një prej personave që ndodhej me të, i dyshuar si Lulzim Tabaku, ka hapur zjarr me pistoletë në drejtim të 66-vjeçarit, duke i shkaktuar vdekjen.
Kostandin Vogli rezulton person me precedentë penalë. Ai është proceduar më herët për “drejtim të parregullt të automjeteve”, ndërsa në gusht të vitit 2023 ishte shpallur në kërkim për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “kultivim të bimëve narkotike”.
Policia vijon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarjen e rëndë.














