Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati në Elbasan, ku mbrëmjen e djeshme tre persona mbetën të plagosur në një lokal në lagjen “Vullnetari”.

Sipas burimeve policore, asnjë nga tre të plagosurit nuk ka qenë objektivi i sulmit. Autoritetet dyshojnë se shënjestër e autorit ka qenë një person tjetër, i cili ndodhej në të njëjtin lokal në momentin e ngjarjes.

Reklame

Sipas të dhënave paraprake, autori ka qenë i veshur me një xhup. Dyshohet gjithashtu se ai mund të ketë përdorur një paruke për të fshehur identitetin.

Autori qëlloi 7 herë në drejtim të lokalit

Burimet bëjnë me dije se autori është afruar në verandën e lokalit dhe ka qëlluar 7 herë me armë zjarri, tip pistoletë.

Nga të shtënat mbetën të plagosur Renaldo Mance, 31 vjeç, dhe Armand Tomorrica, 32 vjeç. Plumbat kanë prekur gjithashtu edhe kamarierin e lokalit, Bjorgi Hoxha, 19 vjeç.

Tre të plagosurit morën ndihmën e nevojshme mjekësore dhe, sipas burimeve, kanë lënë spitalin disa orë pas ngjarjes. Gjendja e tyre shëndetësore nuk paraqitet e rëndë.

Njëri prej tyre ka marrë një plagë në shpatull, një tjetër në këmbë, ndërsa personi i tretë ka pësuar një dëmtim të lehtë nga plumbi.

Polici jashtë shërbimit u vu në ndjekje të autorit

Në momentin e të shtënave, në ambientet e lokalit ndodhej një efektiv policie jashtë shërbimit.

Sapo ka dëgjuar krismat, polici ka dalë nga lokali dhe është vënë në ndjekje të autorit. Sipas burimeve, efektivi nuk kishte armë shërbimi me vete.

Gjatë ndjekjes, autori ka hedhur pistoletën në tokë. Arma është gjetur dhe sekuestruar nga Policia si provë materiale.

Pavarësisht ndjekjes, autori ka mundur të largohet dhe vijon të jetë në kërkim.

Dyshime për një konflikt të mëparshëm

Hetuesit po ndjekin disa pista për zbardhjen e motivit të ngjarjes. Një nga pistat kryesore lidhet me dyshimet për një konflikt të mëparshëm mes autorit dhe dy prej personave që mbetën të plagosur.

Burimet dyshojnë se sulmi mund të ketë lidhje me një larje hesapesh mes autorit dhe Armand Tomorricës dhe Renaldo Mances. Megjithatë, kjo pistë mbetet ende nën hetim dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.

Gjashtë gëzhoja u gjetën në vendngjarje

Në vendin e ngjarjes, ekspertët kanë gjetur dhe sekuestruar 6 gëzhoja. Ato pritet t’i nënshtrohen ekspertizës balistike për të përcaktuar armën e përdorur dhe për të siguruar prova që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorit.

Policia vijon kontrollet për kapjen e tij, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të dinamikës dhe motivit të sulmit.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse personi që dyshohet se ishte objektivi i autorit ka pasur ndonjë konflikt të mëparshëm me të dhe për të identifikuar autorin e sulmit.

Të shtëna me armë në Elbasan, plagosen tre persona në verandën e një lokali! Autori në arrati

Reklame