Advertisement

Detaje të reja nga dosja hetimore e SPAK-ut hedhin dritë mbi komunikime që lidhen me një projekt turistik në Palasë, ku përmendet emri i biznesmenit Samir Mane, i referuar në biseda me nofkën “Zamiri”.

Sipas materialeve hetimore, më 30 janar 2021, Luciano (Artur) Koçeku komunikon me Alfredo Hamzain dhe i thotë se “Liri” – që hetuesit dyshojnë se është biznesmeni Ilir Shtufi – do të takohej me “Zamirin”, që SPAK dyshon se i referohet Samir Manes, për të diskutuar mbi zhvillimin e një projekti ndërtimi në Palasë.

Reklame

Në një komunikim tjetër të datës 18 shkurt 2021, sipas SPAK-ut, diskutohet mundësia që Samir Mane të paguante një shumë prej 2 deri në 3 milionë euro për përfshirjen e tokës në pronësi të Alfredo Hamzait në një projekt rezidencial dhe turistik. Në dokumente përmendet se ishte planifikuar ndërtimi i rreth 30 vilave dhe një hoteli.

Hetuesit theksojnë se ndërmjetësi në këto negociata dyshohet të ketë qenë Ilir Shtufi, i cili sipas dosjes ka shërbyer si urë lidhëse mes palëve.

Po ashtu, në një bisedë të datës 24 shkurt 2021, Artur Koçeku i shkruan Hamzait se kishte folur me “Lirin” dhe “Zamirin”, ndërsa ky i fundit kishte ofruar 3 milionë euro për përfshirjen e tokës në kompleksin që po projektohej.

Sipas SPAK-ut, më 27 shkurt 2021 palët duket se kishin avancuar në negociata, duke diskutuar jo vetëm pagesën prej 3 milionë eurosh për tokën, por edhe ndërtimin e rreth 40 vilave. Nga komunikimet e administruara në dosje rezulton se 20% e projektit do t’i takonte Alfredo Hamzait.

Në biseda përmendet edhe ndërtimi i një hoteli me rreth 120 dhoma, i cili sipas komunikimeve do të ishte pjesë e të njëjtit zhvillim turistik.

Dosja e SPAK-ut nuk ngre akuza ndaj Samir Manes në këtë pjesë të hetimit, por emri i tij del në komunikimet e personave nën hetim si një nga aktorët e përmendur në negociatat për projektin turistik në zonën e Palasës. Ndërkohë, prokurorët po hetojnë nëse investimet e dyshuara lidhen me pastrim të të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Reklame