Detaje të reja janë bërë të ditura nga ngjarja e rëndë e regjistruar mëngjesin e sotëm në Korçë, ku një 66-vjeçar u gjet i pajetë brenda një automjeti të përfshirë nga zjarri.
Ngjarja ndodhi rreth orës 08:40, në lagjen nr. 10 të qytetit të Korçës. Automjeti tip “Benz” u përfshi nga flakët, ndërsa pas mbërritjes së shërbimeve të Policisë dhe zjarrfikëses, brenda mjetit u gjet trupi i pajetë i shtetasit Irakli Çinoku, rreth 66 vjeç.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se 66-vjeçari mund t’i ketë dhënë fund jetës duke i vënë flakën vetes brenda automjetit. Megjithatë, rrethanat e sakta të ngjarjes mbeten ende nën hetim.
Dyshohet se kishte lënë një letër lamtumire
Burime paraprake bëjnë me dije se 66-vjeçari dyshohet se kishte lënë një letër lamtumire në banesën e tij.
Gjithashtu, sipas të njëjtave informacione, ditën e djeshme ai kishte përcjellë bashkëshorten drejt Greqisë.
Këto të dhëna po verifikohen nga grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e saktë të vdekjes së 66-vjeçarit. Ndërkohë, pritet që ekspertizat mjekoligjore dhe hetimet në vendngjarje të ndihmojnë në dokumentimin e plotë të rastit.
E rëndë në Korçë, 66-vjeçari gjendet i pajetë brenda automjetit të përfshirë nga flakët















