Advertisement

Pas aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur, reagimi institucional ka ardhur me vonesë, duke rikthyer në vëmendje një model të përsëritur: ndërhyrje të forta vetëm pas ngjarjeve të rënda.

Policia e Shtetit ka njoftuar një paketë masash të reja për rritjen e sigurisë rrugore, të cilat synojnë parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit.

Reklame

Sipas njoftimit zyrtar, janë kalibruar 22 mjete shpejtësimatëse dhe strukturat e Policisë Rrugore janë pajisur me dronë, kamera, aparate fotografike, alkooltestues dhe drogëtestues. Monitorimi në akset nacionale do të kryhet kryesisht përmes teknologjisë dhe patrullave lëvizëse, ndërsa gjobat do të pasqyrohen në kohë reale në platformën e-Albania.

Patrullat do të ndërhyjnë vetëm në rastet e shkeljeve të rënda, si shpejtësia ekstreme, parakalimet e rrezikshme dhe sjellja agresive në rrugë. Ndërkohë, në zonat urbane do të intensifikohen kontrollet për alkoolin, përdorimin e celularit, rripin e sigurimit dhe respektimin e këmbësorëve.

Një fokus i veçantë do t’i kushtohet edhe parkimeve të gabuara, me përdorimin e mjeteve ngritëse për automjetet që bllokojnë korsitë apo hapësirat publike.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së ndëshkimeve, të dhënat mbeten shqetësuese. Për 4-mujorin e vitit 2026 janë arrestuar 1009 drejtues mjetesh për drejtim në gjendje të dehur ose pa leje, ndërsa mbi 82 mijë janë ndëshkuar për shpejtësi tej normave të lejuara. Rreth 33% e viktimave në aksidente rezultojnë të jenë këmbësorë, çka evidenton nivelin e lartë të rrezikut në rrugë.

Në total, janë vendosur qindra mijëra masa administrative për shkelje të ndryshme, përfshirë parakalime të gabuara, mosvendosje të rripit të sigurimit dhe përdorim të celularit gjatë drejtimit.

Pavarësisht këtij bilanci, dinamika e aksidenteve mbetet pothuajse e pandryshuar krahasuar me një vit më parë, duke ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin real të masave.

Perceptimi publik mbetet kritik: ndërhyrjet e policisë shpesh shihen si reagime të përkohshme pas tragjedive, që zbehen me kalimin e ditëve. Sfida kryesore mbetet jo vetëm vendosja e masave, por zbatimi i qëndrueshëm dhe i paanshëm i tyre në kohë.

Reklame