I penduari i drejtësisë Artan Tafani ka vijuar dëshminë e tij në gjykatë, duke dhënë detaje të reja mbi planin e dyshuar për vrasjen e Rexhep Gina dhe rolin që, sipas tij, kishte Laert Haxhiu në këtë çështje.

Gjatë përgjigjeve ndaj pyetjeve të mbrojtjes, Tafani deklaroi se diskutimet për eliminimin e Rexhep Ginës kanë nisur në Greqi, ku ai pretendon se ka zhvilluar biseda me Laert Haxhiun dhe persona të tjerë të përfshirë.

Reklame

Sipas dëshmisë së Tafanit, veprimet për vrasjen e Ginës kanë nisur në korrik të vitit 2022, ndërsa ai tha se viktimën e njihte vetëm përmes fotografive.

“Për vrasjen e Ginës interesohej Laerti. Ishte për punë hasmërie, pasi Gina kishte qenë pjesë e grupit të Aldo Bares. Kishte konflikt për çështje pronash me xhaxhain e Laertit”, deklaroi Tafani në sallën e gjyqit.

Ai shtoi se diskutimet e para për këtë plan janë zhvilluar në Athinë, ku, sipas tij, ishte menduar që vendndodhja e Rexhep Ginës të identifikohej me ndihmën e një polici grek të njohur nga Marjo Diamanti.

Sipas dëshmisë, në bisedat e zhvilluara në Greqi kanë marrë pjesë vetë Tafani, Laert Haxhiu, Marjo Diamanti dhe Xhino Bajrami.

Tafani deklaroi se më vonë janë zhvilluar diskutime të tjera për ekzekutimin e mundshëm të Ginës dhe se persona të afërt me Haxhiun e monitoronin lëvizjen e tij në Athinë.

“E ruanin dhe e vëzhgonin. Sa herë kalonin pranë lokalit të tij, i dërgonin Laertit foto ose video”, tha ai para gjykatës.

Dëshmia e Artan Tafanit është pjesë e procesit gjyqësor ndaj Laert Haxhiut dhe të pandehurve të tjerë. Pretendimet e bëra në sallën e gjyqit përbëjnë deklarime të një të penduari të drejtësisë dhe janë objekt i shqyrtimit gjyqësor.

Reklame