Igli Kamberi dyshohet nga autoritetet si kreu i një grupi kriminal me veprimtari në fushën e pastrimit të parave, në kuadër të operacionit të zhvilluar nga SPAK në bashkëpunim me Antimafian italiane.
Atij i është komunikuar në Itali masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa ndodhet tashmë në pranga edhe për çështje të tjera kriminale.
Sipas mediave italiane, Kamberi dyshohet si i përfshirë në vrasjen e parukierit 26-vjeçar nga Barletta, Francesco Diviesti, i cili u zhduk më 25 prill 2025 dhe u gjet i pajetë katër ditë më vonë.
Trupi i të riut u zbulua gjysmë i djegur dhe me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit, në një ndërtesë të braktisur mes Canosa di Puglia dhe Minervino Murge, në veri të Barlettës.
Igli Kamberi u arrestua në Roszke të Hungarisë, ndërsa po udhëtonte me autobus në drejtim të Shqipërisë.
Po ashtu, ai dyshohet edhe për posedimin e 24 kilogramëve kokainë në zonën e Barlettës, duke e rënduar më tej pozitën e tij përballë autoriteteve italiane.














