Një zjarr ka rënë pasditen e kësaj të mërkure pranë zonës së Inceneratorit të Elbasanit, duke përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të egër në afërsi të lumit Shkumbin.

Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta dhe vegjetacionit të thatë, ndërsa shtëllunga të dendura tymi janë vënë re nga zona të ndryshme të qytetit, duke shkaktuar shqetësim te banorët.

Reklame

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë ekipet e shërbimit zjarrfikës, të cilat po punojnë për izolimin e vatrës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.

Po ashtu, në zonë ndodhen edhe forcat e policisë që po monitorojnë situatën dhe po marrin masat e nevojshme për garantimin e sigurisë.

Deri në këto momente nuk dihen shkaqet që kanë çuar në rënien e zjarrit, ndërsa autoritetet pritet të kryejnë verifikimet përkatëse pas shuarjes së plotë të flakëve.

Paraprakisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale do të vlerësohen pas neutralizimit të plotë të vatrës së zjarrit.

Reklame