Tiranë – Në momentin e daljes nga seanca plenare, makina e zëvendëskryeministres Albana Koçiu është goditur me vezë nga protestuesit që ndodheshin përpara Kuvendit. Ngjarja ka ndodhur mes tensioneve të larta dhe përplasjeve me forcat e policisë.
Sipas dëshmive nga vendngjarja, protestuesit që ishin të mbledhur në zonën përreth Kuvendit kanë reaguar menjëherë sapo automjeti i zëvendëskryeministres është larguar nga ambientet parlamentare, duke hedhur vezë në drejtim të tij.
Menjëherë pas incidentit, situata është tensionuar dhe janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, të cilat kanë ndërhyrë për të larguar turmën dhe për të garantuar kalimin e eskortës zyrtare.
Policia ka ndërhyrë për të shmangur përshkallëzimin e situatës, ndërsa protesta vijon të mbetet e pranishme në zonën përreth Kuvendit me tensione të herëpashershme.
Deri më tani nuk raportohet për të lënduar, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar për incidentin.














