Një histori e fshehur prej gati tre dekadash ka dalë së fundmi në dritë. Bëhet fjalë për Sokol Hoxha, i akuzuar për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në Patos në mars të vitit 1997, si edhe për ekzekutimin e një gruaje shqiptare në Belgjikë disa muaj më vonë.
Sipas të dhënave hetimore, ndaj Hoxhës rëndon një dënim me 25 vite burg nga drejtësia shqiptare, ndërsa autoritetet belge e kërkojnë për vrasjen e Brunilda Dervishi.
Pas krimit të dyfishtë në Shqipëri, ai u arratis fillimisht drejt Greqisë dhe më pas në Belgjikë, ku sipas hetimeve ndërkombëtare u përfshi në aktivitetin e prostitucionit. Dyshohet se Brunilda Dervishi ishte shfrytëzuar prej tij për prostitucion dhe u vra pasi kundërshtoi urdhrat e Hoxhës.
Hetimet tregojnë se më pas ai u transferua në Britaninë e Madhe duke përdorur dokumente false kosovare, praktikë e përdorur nga shumë emigrantë shqiptarë gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Përmes identitetit të rremë ai arriti të siguronte dokumente qëndrimi në Britani.
Në fillim të viteve 2000, Hoxha dyshohet se u zhvendos në SHBA, ku jetoi për më shumë se dy dekada me identitet të ndryshuar.
Pas një bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare, amerikane, belge, britanike dhe kosovare, hetimet u intensifikuan në vitin 2021. Përmes krahasimit të shenjave të gishtave dhe fotografive të vjetra, hetuesit arritën të konfirmojnë identitetin e tij real.
Mësohet se më 5 maj ai është arrestuar në shtetin e Ohajos në SHBA, ndërsa autoritetet amerikane po shqyrtojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë ose Belgjikës.
Sipas raportimeve, i shumëkërkuari prej afro 30 vitesh pritet të përballet tashmë me drejtësinë për krimet e kryera në vitin 1997.














