Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me arratisjen e bujshme të të burgosurit Altin Ndoci nga Spitali Rajonal i Durrësit, një ngjarje që ka ngritur alarmin në radhët e policisë dhe institucioneve të sigurisë.

Altin Ndoci ishte shoqëruar drejt spitalit nga 5 efektivë të Policisë së Burgjeve, njëri prej të cilëve shofer. Dy efektivë e kanë shoqëruar atë brenda ambienteve të spitalit, ku Ndoci do të kryente vizita mjekësore në repartin infektiv, në dhomën e posaçme për të burgosurit.

Reklame

MOMENTI KRITIK

Sipas informacioneve, gjatë qëndrimit në spital, Ndoci ka kërkuar të shkonte në tualet. Pasi ka dalë prej andej, ai ka goditur me grusht një nga efektivët e Policisë së Burgjeve dhe ka përfituar nga momenti për t’u larguar me shpejtësi nga kati i tretë i godinës.

Efektivi i goditur e ka ndjekur menjëherë nga pas, ndërsa ka qëlluar me pistoletë në ajër, me qëllim trembjen dhe ndalimin e tij, por pa rezultat. Ndoci ka arritur të largohet, duke humbur gjurmët.

DREJT VARREZAVE TË QYTETIT

Burime bëjnë me dije se i arratisuri është larguar në drejtim të zonës së varrezave të Durrësit, duke përfituar nga terreni dhe dinamika e situatës.

POSTBLOQE DHE KËRKIME INTENSIVE

Menjëherë pas arratisjes, Policia e Shtetit ka ngritur postblloqe në disa akse rrugore dhe zona kyçe të qytetit dhe periferisë, ndërsa vijojnë kontrollet intensive për kapjen e Altin Ndocit, i cilësuar si një nga personat më të rrezikshëm të botës së krimit.

Autoritetet po punojnë gjithashtu për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe verifikimin e protokolleve të sigurisë gjatë shoqërimit të të burgosurve drejt strukturave shëndetësore.

Reklame