Me thirrje kundër klasës politike dhe kundër projektit turistik në Zvërnec, protestuesit janë mbledhur këtë mbrëmje para Kryeministrisë në protestën e thirrur pas ngjarjeve të fundit në zonën bregdetare të Vlorës.
“Atdheu nuk është në shitje”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëria nuk është në shitje” janë disa nga sloganet që dëgjohen nga pjesëmarrësit në tubim.
Protesta vjen pas përplasjes së dhunshme të regjistruar në Zvërnec mes protestuesve dhe punonjësve të një kompanie private sigurie, ngjarje që ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe në politikë.
Pjesëmarrësit akuzojnë qeverinë se po favorizon interesat e investitorëve në dëm të pasurive natyrore dhe kërkojnë transparencë të plotë për projektin e resortit luksoz që planifikohet të ndërtohet në zonën e Pishë-Poros.
Në tubim janë parë qytetarë, aktivistë mjedisorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë deklaruar se kundërshtimi i tyre nuk lidhet me zhvillimin ekonomik, por me mbrojtjen e territorit dhe të zonave të mbrojtura.
Kjo është protesta e dytë e zhvilluar në Tiranë për çështjen e Zvërnecit, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se reagimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim nëse projekti nuk rishikohet.













