Kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi, është paraqitur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për seancën e radhës gjyqësore në procesin penal që zhvillohet ndaj saj.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar deklarimin fajtore të Bufit për veprën penale “përdorimi i detyrës për veprimtari politike dhe zgjedhore”.
Sipas kërkesës së prokurorëve, ndaj kryebashkiakes është kërkuar dënimi me 1 vit e 6 muaj burg. Megjithatë, SPAK ka propozuar që dënimi të konvertohet në shërbim prove për një periudhë prej 2 vitesh.
Sipas akuzës, Majlinda Bufi, në cilësinë e kryetares së Bashkisë Roskovec, dyshohet se i ka kërkuar një qytetari të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe të mos angazhohet në aktivitete politike të forcave të tjera politike.
Prokuroria pretendon se qytetari është kërcënuar për shkak të qëndrimeve të tij politike, veprime që sipas SPAK përbëjnë përdorim të funksionit publik për qëllime elektorale.
Vendimi përfundimtar pritet të merret nga trupi gjykues i GJKKO-së në një nga seancat e ardhshme.














