Ambasada Amerikane duhet të kuptojë se nën sqetullat e saj ka një diktator ordiner, më të pacipë se djali i Gadafit. Djali i llastuar i komunizmit, pasi mori atë që e interpretoi si përkëdhelje diplomatike nga Uashingtoni, duket se e ka marrë Shqipërinë për një qoshe të oborrit të vet.
Shikoni si ndryshuan gjërat brenda 36 orësh!
Në reagimin e saj për situatën, ambasada amerikane iu drejtua protestuesve me një gjuhë jashtëzakonisht të ashpër, sikur ata të kishin cenuar territorin e një fuqie të huaj. Një mesazh që, për nga toni, spikati ndër reagimet diplomatike të viteve të fundit.
Dhe çfarë ndodhi më pas?
Kryeministri e interpretoi klimën si një leje për të hapur fletët. Doli kundër rinisë me një tërbim që duket se e ka akumuluar prej vitesh. Sepse rinia po bën atë që ai nuk e bëri dot kurrë: po sfidon pushtetin në rrugë, po kërkon llogari dhe po i kujton se asnjë qeveri nuk është e përjetshme.
Që në mëngjes, ai i kërcënoi të rinjtë se do t’u bënte gjëra që nuk ua merrte mendja. I quajti të paaftë, të pashkolluar, tiktokerë dhe u shpjegoi se jeta nuk është TikTok.
Në mbrëmje, përgjigjja e pushtetit erdhi me gaz lotsjellës, shkopinj gome, shkelma, plumba gome dhe gjithë arsenalin e forcës që iu vu përballë protestuesve. Madje, nuk mungoi as performanca e RENEA-s.
Dhe sot, çfarë bën kryeministri?
Shkon në Ministrinë e Arsimit dhe pranon se arsimi ka dështuar. Flet për nevojën e psikologëve në shkolla. Në thelb, pranon probleme që studentët i kanë denoncuar vetë.
Pra, dje të rinjtë ishin të paaftë, të pashkolluar dhe të paditur. Sot, pasi i përballi me policinë, kryeministri pranon se sistemi arsimor ka dështuar.
Atëherë, kush ka dështuar në të vërtetë? Të rinjtë që protestojnë, apo pushteti që i ka qeverisur për vite me radhë?
Kjo është pyetja që nuk mund të mbulohet as me deklarata diplomatike, as me gaz lotsjellës dhe as me konferenca në ministri.
Një kryeministër që i quan të rinjtë të paditur kur e kundërshtojnë, por pranon dështimin e sistemit kur i duhet të justifikohet, nuk po tregon forcë. Po tregon frikë nga një brez që nuk e kontrollon dot.
Dhe ambasada amerikane duhet ta kuptojë një gjë: marrëdhëniet diplomatike nuk mund të kthehen në një çek të bardhë për askënd. Asnjë mesazh i Uashingtonit nuk duhet interpretuar si leje për të poshtëruar qytetarët e për të trajtuar vendin si pronë personale.
Shqipëria nuk është oborri privat i kryeministrit. Dhe rinia shqiptare nuk është një turmë që mund të heshtë sa herë pushteti ngre zërin.
Lexo edhe
Rama bën lëvizjen e papritur, karriget e dialogut dalin në bulevard!
A ka harruar Ambasada Amerikane diçka në deklaratën e saj?












