Nga Saimir Kola
Zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike nuk janë më thjesht probleme të brendshme organizative të saj, dhe kjo për shkak të rolit që ajo luan në jetën publike të vendit. Këto zhvillime po tregojnë një degradim të qartë të standardeve që në fakt nuk duhet të karakterizojnë një forcë politike që pretendon të qeverisë.
Në nivel lokal, proceset zgjedhore po shoqërohen me tensione, ndërhyrje dhe deri në konfrontime fizike mes kandidatëve — një tregues shqetësues për mënyrën si po menaxhohen strukturat. Në vend që zgjedhjet të jenë garë idesh dhe përfaqësimi, ato po perceptohen gjithnjë e më shumë si procese të kontrolluara.
E ndërsa në nivel lokal situata duket jashtë çdo standarti apo rregulli, lë më të flasim për proces primaresh, në nivel qendror, situata nuk është më pak problematike. Mungesa e garës reale dhe zbehja e çdo zëri kritik dhe jo vetëm, por edhe mungesa e promovimit të njerëzve që ngjallin besim dhe motivim në pubkik, ka krijuar një realitet ku konkurrenca brenda partisë është pertej akteve formale.
Kur një parti nuk arrin të garantojë standarde demokratike brenda vetes, ajo humbet legjitimitetin për t’i kërkuar ato jashtë saj. Dhe problemi nuk ndalet këtu, pasi një opozitë që funksionon në këtë mënyrë nuk arrin të përmbushë rolin e saj themelor: kontrollin dhe sfidimin e pushtetit. Në këto kushte, krijohet një paradoks i rrezikshëm: sa më e dobët dhe e mbyllur bëhet opozita, aq më shumë forcohet qeveria që ajo duhet të sfidojë. Kjo është ajo që duhet të shqetësojë çdo qytetar, pavarësisht bindjeve politike. Demokracia nuk dobësohet vetëm kur pushteti abuzon, por edhe kur opozita nuk arrin të funksionojë si alternativë reale. Është për të ardhur keq, ku me këto “standarde” Partia Demokratikë po i jep vetes rolin e patericës që mban në këmbë një qeveri të zhytyr në korrupsion, tavë të cilën ndoshta edhe vetë PD e ka dorën brenda.
Reklame