Një ngjarje me rrethana ende të paqarta është regjistruar në fshatin Farret, në njësinë administrative Stravaj të Librazhdit, ku një automjet tip “Benz” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një humnerë, rreth 150 metra larg aksit rrugor.

Në drejtimin e automjetit me targa AB178DV ndodhej 22-vjeçari Renis Kalnxhi, i cili ka mbetur i plagosur dhe është transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Librazhdit.

Reklame

Sipas informacioneve paraprake, i riu ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ajo që e bën ngjarjen edhe më të paqartë është fakti se pranë automjetit të dëmtuar është gjetur një armë zjarri, tip pistoletë.

Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes nuk janë konstatuar persona të tjerë që mund të kenë qenë në automjet në momentin e daljes së tij nga rruga.

Paraprakisht, dyshohet se 22-vjeçari mund të jetë përfshirë në një konflikt dhe të jetë dëmtuar përpara se automjeti të përfundonte në humnerë. Megjithatë, rrethanat e këtij dyshimi dhe lidhja e mundshme e armës së gjetur me ngjarjen mbeten ende për t’u sqaruar.

Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes, ndërsa veprimet e mëtejshme hetimore po kryhen nga Komisariati i Policisë Librazhd.

Lexo edhe

6 të arrestuar pas protestës në Tiranë, mes tyre dy të mitur! Policia sekuestron bomba molotov

Dhuna në protestë. Çfarë u gjet në makinën e dy personave të maskuar? Policia publikon pamjet

Reklame