Policia e Tiranës ka arrestuar gjashtë persona, mes tyre edhe dy të mitur, pas akteve të dhunës të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë tubimit disa protestues kundërshtuan dhe goditën punonjësit e rendit me sende të forta, lëndë piroteknike, bomba molotov, sfera dhe vida metalike.
Gjatë protestës u bllokua gjithashtu qarkullimi rrugor në disa akse, ndërsa u raportua edhe djegia e disa kazanëve të mbeturinave.
Në pranga kanë rënë A. Sh., 26 vjeç, L. K., 18 vjeç, F. Ç., 38 vjeç dhe K. R., 35 vjeç, shtetas i huaj, si dhe dy të mitur.
Ndërkohë, për tre persona të tjerë kanë nisur hetimet, ndërsa dy persona janë shpallur në kërkim.
Policia bën me dije se gjatë kontrolleve janë sekuestruar edhe bomba molotov, të cilat dyshohet se iu gjetën dy prej personave të arrestuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në incidentet e regjistruara gjatë protestës.
Lexo edhe
Tkurret protesta, një grup i vogël rikthehet para Kryeministrisë, policia i rrethon
Berisha: Tirana po jeton një ditë terrori nga narkoshteti, qytetarët t’i bashkohen protestës














