Trupi i pajetë u zbulua pasditen e së dielës, më 8 nëntor, në zonën e Agios Panteleimonas, në kryqëzimin e rrugëve Alkamenus dhe Harisis.
Identifikimi i të resë u bë përmes gjurmëve të gishtërinjve, të cilat rezultonin të regjistruara në databazën e Policisë Greke. Sipas mediave greke, ajo kishte qenë më parë në vëmendjen e autoriteteve për shkelje të legjislacionit mbi të huajt, për shkak të hyrjes së paligjshme në Greqi.
Zhdukja e 24-vjeçares ishte raportuar nga një mikeshë e saj në Komisariatin e Policisë së Kypselit. Hetuesit po verifikojnë tashmë rrethanat në të cilat e reja humbi kontaktet me personat e afërt.
Era e rëndë zbuloi trupin në valixhe
Ishte një kalimtar ai që vuri re erën e rëndë që vinte nga valixhja e lënë në trotuar dhe njoftoi policinë. Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët zbuluan brenda saj trupin e pajetë të gruas.
Ekzaminimi mjeko-ligjor nuk ka evidentuar shenja të dukshme dëmtimesh, ndërsa shkaku i vdekjes mbetet ende i paqartë. Sipas vlerësimeve paraprake, dyshohet se 24-vjeçarja kishte ndërruar jetë rreth shtatë ditë përpara zbulimit të trupit.
Një prej detajeve më shqetësuese të zbuluara gjatë këqyrjes së trupit është fakti se këmbët e viktimës rezultonin të lidhura.
Hetimet i merr përsipër Departamenti i Vrasjeve
Çështja i është kaluar Departamentit të Vrasjeve të Policisë Greke, i cili po heton rrethanat e vdekjes dhe mënyrën se si trupi përfundoi brenda valixhes së braktisur.
Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë lëvizjet e 24-vjeçares përpara zhdukjes, si dhe të identifikojnë personat me të cilët ajo kishte pasur kontakte në ditët e fundit.
Deri tani, shkaku i vdekjes dhe autori apo autorët e mundshëm mbeten të paidentifikuar.
Lexo edhe














