Dy persona të shpallur në kërkim për një ngjarje të rëndë të ndodhur më 7 maj 2026 në Sarandë janë arrestuar provizorisht në Greqi, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Mes tyre është edhe 37-vjeçari Lulezim Tabaku, i dyshuar për vrasjen me armë zjarri të një 66-vjeçari në lokalin e tij, në fshatin Gjashtë.

Arrestimet u kryen në kuadër të një faze tjetër të operacionit të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, njofton Policia e Shtetit.

Reklame

Sipas policisë, në Greqi u arrestua provizorisht edhe 40-vjeçari Idriz Çelo, i dyshuar për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”. Ai dyshohet se ishte përfshirë në konfliktin me sende të forta që parapriu vrasjen dhe se qëndronte në ishullin e Korfuzit duke përdorur identitet të rremë.

Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ndodhi më 7 maj 2026, në ambientet e lokalit të viktimës, në fshatin Gjashtë. Policia dyshon se 37-vjeçari e ka qëlluar me pistoletë 66-vjeçarin, pas një konflikti me sende të forta mes disa personave.

Për Lulezim Tabakun, Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”, kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë, për Idriz Çelon është caktuar e njëjta masë sigurie për veprat penale të përmendura më sipër.

Policia bën me dije se po punohet për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim lidhur me këtë ngjarje.

Në bashkëpunim me autoritetet greke, Interpol Tirana po vijon procedurat për ekstradimin në Shqipëri të dy personave të arrestuar.

Të dyshuarit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Lexo edhe

Protesta e 24 tetorit, Policia arreston 23 persona dhe shpall në kërkim 30 të tjerë (EMRAT)

Denoncoi dhunën, u kthye në shtëpi e shoqëruar nga policia dhe u vra/ Kosova kërkon përgjegjësi institucionale

Reklame