Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë thirrje për dialog me studentët që prej ditësh protestojnë kundër qeverisë, ndërsa ka dënuar dhunën ndaj Policisë së Shtetit. Ai njoftoi gjithashtu se të enjten në Kuvend pritet të votohet një marrëveshje për rritjen e investimeve në konvikte.
Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, Balla bëri të ditur se kryeministri Edi Rama ka kërkuar vijimin e menjëhershëm të punimeve të Kuvendit, me qëllim miratimin e ligjeve që lidhen me procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sipas Ballës, në seancën e së enjtes pritet të shqyrtohen tre ose katër projektligje, të cilat duhet të miratohen deri në fund të muajit.
“Thirrja ime është për dialog. Këtu janë vendosur karriget. Gjithçka është gati. Studentët duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre”, u shpreh Balla, duke iu referuar ftesës së kryeministrit për bisedime me protestuesit.
Balla: “Gjaku i policëve është gjaku i shtetit”
Kreu i grupit parlamentar socialist dënoi aktet e dhunës gjatë protestave, duke e cilësuar sulmin ndaj efektivëve si një çështje thelbësore.
“Grupi i PS-së dënon dhunën. Elementi thelbësor këtu është ngritja e dorës kundër Policisë së Shtetit”, deklaroi ai.
Balla krahasoi situatën në Shqipëri me protestat në vende të tjera europiane, duke pretenduar se në Francë pjesa më e madhe e të lënduarve janë protestues, ndërsa në Shqipëri dy të tretat janë punonjës policie.
“Gjaku i policëve është gjaku i shtetit”, tha Balla, ndërsa paralajmëroi se të rinjtë nuk duhet të përdoren si “mish për top” nga agjenda që ai i cilësoi si të jashtme.
Të enjten votohet marrëveshja për konviktet
Gjatë deklaratës, Balla njoftoi se të enjten do të votohet në Kuvend një marrëveshje për të shtuar investimet në konvikte, pjesë e asaj që e quajti “Pakti 2.0 për universitetin”.
Ai pretendoi se kushtet e sotme në konvikte janë dukshëm më të mira krahasuar me periudhën kur ai vetë ishte student. Sipas tij, dëmet e shkaktuara gjatë protestave shkojnë përtej dëmtimit të godinave universitare.
Balla tha gjithashtu se lajmi i mirë është vijimi i mësimit në të gjitha shkollat, ndërsa komentoi edhe përfshirjen e pedagogëve në debatin publik rreth protestave.
Qeveria paralajmëron masa për dëmet nga protestat
Deklaratat e Ballës vijnë pas paralajmërimeve të kryeministrit Edi Rama për masa ndaj personave që shkaktojnë dëme gjatë protestave.
Rama ka deklaruar se prindërit mund të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara nga fëmijët e tyre, ndërsa për studentët që ushtrojnë dhunë ndaj policisë ka paralajmëruar heqjen e bursave, arsimit falas dhe mbështetjes financiare nga shteti.
Kryeministri ka paralajmëruar gjithashtu masa ndaj mësuesve që, sipas tij, nxisin nxënësit të përfshihen në akte dhune, përfshirë mundësinë e largimit nga puna.
Ndërkohë, protestuesit kanë refuzuar ftesën për dialog të vendosur nga Rama, duke këmbëngulur te kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit. Përballë Kryeministrisë, studentët kanë vendosur edhe fotografi që, sipas tyre, dokumentojnë dhunën e ushtruar nga policia gjatë protestave.
Përplasja mes thirrjeve të qeverisë për dialog dhe kërkesave të protestuesve për dorëheqje mbetet një nga pikat kryesore të zhvillimeve politike në vend.
Lexo edhe
Zgjerohet protesta, pedagogët dhe studentët bashkohen para Universitetit të Tiranës
Parashikimi i motit për ditën e sotme. Ulen temperaturat në gjithë vendin














