Advertisement

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas përplasjeve mes policisë dhe protestuesve gjatë protestës studentore në Tiranë, duke e cilësuar ndërhyrjen e efektivëve si një nga episodet më të rënda të dhunës ndaj të rinjve që prej dhjetorit të vitit 1990.

Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për përdorimin e dhunës ndaj studentëve dhe qytetarëve që morën pjesë në protestë. Ai e krahasoi ndërhyrjen e policisë me ngjarjet e dhjetorit 1990, duke përdorur tone të ashpra ndaj kreut të qeverisë.

Reklame

“Sot ‘Padrino’ i Shqipërisë, Edvin Kristaq Koleka, tejkaloi në dhunën e egër dhe shtazore që ushtroi ndaj studentëve në protestë paqësore, dhunën e diktatorit Ramiz Alia në dhjetor të ’90 ndaj studentëve çlirimtarë”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së pretendoi se gjatë protestës janë dhunuar studentë, qytetarë dhe gazetarë, ndërsa disa persona kanë pësuar dëmtime të rënda dhe janë dërguar në spital. Ai përmendi gjithashtu pamje që, sipas tij, dokumentojnë raste të përdorimit të forcës ndaj protestuesve dhe qytetarëve.

Berisha tha se deputetë të Partisë Demokratike kanë ndjekur gjendjen e personave të lënduar në spital, ndërsa theksoi se nuk do të publikonte informacione që ende nuk janë konfirmuar.

Berisha thirrje qytetarëve të bashkohen nesër me studentët

Gjatë deklaratës, kreu i opozitës bëri thirrje për një tjetër tubim ditën e nesërme, në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit. Ai ftoi anëtarët dhe aktivistët e PD-së, qytetarët pavarësisht bindjeve politike, prindërit e studentëve dhe të rinjtë që t’i bashkohen protestës.

“Studentët kanë nevojë për mbrojtjen e qytetarëve, për mbështetje. Ndaj dhe le të bashkohemi nesër studentë, prindër, të rinj, qytetarë, si të pamposhtur, siç qëndruan sot studentët që sfiduan të vërtetën dhe mbrojtën kërkesat e tyre”, u shpreh Berisha.

Ai e cilësoi tubimin e nesërm si një ditë mbështetjeje për kauzën studentore dhe kërkesën për largimin e Edi Ramës nga detyra e kryeministrit.

“Shpresoj dhe uroj që kjo dhunë barbare të marrë dënimin e merituar nga e gjithë rinia universitare dhe parauniversitare, por edhe ajo në punë”, deklaroi kreu i PD-së.

Thirrja e Berishës vjen pas një proteste të gjatë në kryeqytet, e shoqëruar me përplasje dhe raportime për persona të lënduar. Policia e Shtetit ka njoftuar ndërkohë pezullimin e katër efektivëve dhe shefit të Rendit në Komisariatin nr. 1 pas publikimit të pamjeve të një 19-vjeçari të lënduar, ndërsa për rastin kanë nisur hetimet nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria.

Lexo edhe

“Nuk kisha lidhje me protestën”/ Ledion Balla tregon si iu thye këmba në Tiranë: Policia më shtyu

Berisha në Dibër: “Studentët bënë një përballje epike me falangat e Ramës”

Reklame