Situatë problematike është konstatuar në aksin kombëtar Librazhd–Pogradec, në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”, ku çarjet e vjetra dhe ato të shfaqura së fundmi janë thelluar ndjeshëm, duke rritur rrezikun për qarkullimin e mjeteve.

Sipas njoftimit zyrtar të Autoriteti Rrugor Shqiptar, deformimet në trupin e rrugës janë përkeqësuar, duke krijuar një situatë të pasigurt për drejtuesit e automjeteve që kalojnë në këtë segment të rëndësishëm lidhës mes juglindjes dhe pjesës qendrore të vendit.

Reklame

Nga dita e sotme, në koordinim me Policia e Shtetit, do të aplikohet kufizim i lëvizjes me një korsi në zonën ku ka ndodhur rrëshqitja. Për disiplinimin e trafikut do të vendoset semafor provizor, me qëllim shmangien e rrezikut dhe përplasjes së mjeteve.

Autoritetet bëjnë me dije se masa është e përkohshme, por e domosdoshme për garantimin e sigurisë rrugore në këtë segment.

Në vijim, parashikohet ndërhyrje për krijimin e një korsie të dytë provizore në të majtë të trupit ekzistues të rrugës, në mënyrë që të rikthehet qarkullimi me dy sense dhe të lehtësohet fluksi i automjeteve.

ARRSH kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe banorëve të zonës për kufizimet e përkohshme, duke theksuar se ndërhyrja është e domosdoshme për të shmangur rreziqe të mundshme dhe për të garantuar stabilitetin e këtij aksi strategjik.

Segmenti Librazhd–Pogradec është një nga arteriet kryesore që lidh lindjen e vendit me rrjetin kombëtar, ndaj çdo problematikë infrastrukturore në këtë zonë ka ndikim të drejtpërdrejtë në qarkullimin rajonal.

Reklame