Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra katër punonjës policie dhe shefin e Rendit në Komisariatin nr. 1, nënkomisar F. K., pas publikimit të pamjeve ku shfaqet një 19-vjeçar i lënduar në këmbë, teksa shoqërohet nga efektivët pranë Parlamentit.
Sipas reagimit zyrtar të Policisë së Shtetit, i riu Ledion Balla po shoqërohej për t’u dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Pas publikimit të videos, janë nisur verifikimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe mënyrën se si është trajtuar i riu nga punonjësit e policisë.
Përveç pezullimit të menjëhershëm të pesë punonjësve, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre.
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është ngritur edhe një grup i posaçëm, i cili do të analizojë veprimet e punonjësve të policisë gjatë gjithë protestës, nga fillimi deri në përfundim të tubimit. Verifikimet do të përqendrohen edhe te zbatimi i procedurave standarde të punës.
“Çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.
Paralelisht, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin, duke e çuar çështjen edhe në planin e përgjegjësisë ligjore.
Policia dënon aktet e dhunës gjatë protestës
Në të njëjtin reagim, Policia e Shtetit dënon aktet e dhunshme të regjistruara gjatë orëve të fundit në kryeqytet, përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës. Sipas institucionit, këto akte nuk kanë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen.
Policia u ka bërë thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune e shkatërrimi t’i ndalin veprimet, duke paralajmëruar se do të përballen me ligjin. Gjithashtu, u ka kërkuar qytetarëve të distancohen nga personat e dhunshëm për të shmangur rrezikun për sigurinë e tyre.
Pezullimi i pesë punonjësve vjen pas reagimeve të shumta lidhur me pamjet e 19-vjeçarit të lënduar. Rrethanat e plota të incidentit dhe përgjegjësitë konkrete pritet të përcaktohen nga hetimet në vijim.
Lexo edhe
Ministri Ervin Demo reagon për protestën: Policia dhe protestuesit nën hetim
PAMJE TË RËNDA NGA PROTESTA/ I riu me këmbë të thyer merret nga policia, dyshohet se është në gjendje të rëndë














