Advertisement

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar protestën e studentëve në Tiranë, duke e cilësuar përballjen e tyre me policinë si një moment të rëndësishëm kundër qeverisë së Edi Ramës.

Gjatë një takimi në Dibër, Berisha deklaroi se kryeministri ndodhet, sipas tij, në fazën e fundit të regjimit të tij, ndërsa u bëri thirrje demokratëve që të angazhohen për ripërtëritjen e Partisë Demokratike.

Reklame

“Sot, studentët bënë një përballje epike me falangat e tij. Ai është në kohërat e fundit të regjimit të tij antishqiptar”, u shpreh Berisha, duke iu referuar kryeministrit Rama.

Berisha kritikon Ramën për deklaratat ndaj dibranëve

Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së u ndal edhe te Dibra dhe banorët e saj, duke vlerësuar punën, zgjuarsinë dhe traditën e debatit në odat dibrane.

Berisha solli në vëmendje një bisedë që, sipas tij, kishte zhvilluar në vitet ’90 me Julian Amery, ish-ministër britanik dhe mik të Shqipërisë. Ai tregoi se Amery e kishte cilësuar odën e Dibrës si një universitet të rëndësishëm në formimin e tij.

Duke iu referuar kritikave të Edi Ramës ndaj dibranëve, Berisha përdori tone të ashpra, duke deklaruar se qytetarët e kësaj zone nuk duhet të pranojnë fyerje.

“Tani vjen një shkarravitës, të cilin me të drejtë një kritik arti në Venecia i thotë që vizatimet e tij ishin të një adoleshenti të droguar dhe u thotë dibranëve se jeni çyrykë. Tani, jo ik, por qërohu”, deklaroi Berisha.

Thirrje për ripërtëritjen e Partisë Demokratike

Në vijim, Berisha theksoi se PD-ja duhet të përfshihet në një proces ripërtëritjeje, duke afruar të rinj, gra dhe vajza, krahas demokratëve që kanë qëndruar pranë partisë në periudha të vështira.

Sipas tij, kjo është e domosdoshme për t’iu përgjigjur sfidave politike dhe për të ndërtuar një vizion të ri për vendin.

“Shqipëria nga ne pret dhe unë kam besimin më të madh se ne do t’i përgjigjemi me sukses këtyre kërkesave”, u shpreh kreu i opozitës.

Berisha deklaroi se ripërtëritja duhet të nisë nga çdo demokrat, përfshirë drejtuesit e partisë, dhe të përfshijë qëndrimet politike, funksionimin e organizatës dhe përbërjen e saj.

Në fund të fjalës së tij, kreu i PD-së e mbylli takimin me thirrjen: “Rroftë Dibra, rroftë Shqipëria!”

Lexo edhe

Euro është zhvlerësuar me 33% në Shqipëri, Berisha: Leku tashmë do të quhet narkos

Berisha dënon dhunën ndaj studentëve: “Stop terrorit të banditëve të narkoshtetit!”

Reklame